info@amlf.gov.al

Funksionet e AMLF – së

Funksionet e AMLF-së

a) Licenson nëpërmjet Komisionit të Licencave subjektet që aplikojnë për ushtrim aktiviteti në fushën e lojërave të fatit, sipas kritereve të këtij ligji.

b) Kontrollon dokumentacionin e personave fizikë dhe juridikë, të cilët aplikojnë për t’u pajisur me licencë apo që janë pajisur me licencë, si dhe kërkon dokumente dhe prova shtesë në rastet kur e gjykon të arsyeshme.

c) Mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë e subjekteve, që organizojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e lojërave të fatit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin për këtë veprimtari dhe aktet nënligjore në fuqi.

ç) Monitoron në distancë dhe në kohë reale subjektet e licencuara të lojërave të fatit nëpërmjet Sistemit Qendror të Monitorimit On-line.

d) Vendos sanksione në formën e masave administrative në rastet kur vëren shkelje të dispozitave të këtij ligji.

dh) Në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj kontrollon dhe verifikon nëse mjetet e lojërave të fatit janë të certifikuara nga subjekte të akredituara në përputhje me legjislacionin në fuqi.

e) Miraton pajisjet e lojërave të fatit, sipas specifikimeve teknike, të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Financave, të cilat janë të pajisura me certifikata nga subjekte të akredituara.

ë) Mbikëqyr dhe kontrollon subjektet e pajisura me autorizim për luajtjen e lojërave promocionale të fatit.

f) Mban regjistrin për subjektet, që ushtrojnë këtë veprimtari dhe të sallave të hapura prej tyre në të gjithë territorin e vendit për numrin e automateve/pajisjeve për çdo sallë loje dhe karakteristikat specifike të tyre, numrin e punonjësve dhe kualifikimin përkatës të tyre, numrin e biletave të Lotarisë Kombëtare të hedhura në treg dhe ato të shitura, numrin e shorteve të hedhura nga organizatori i Lotarisë Kombëtare dhe organizatorët e bingos televizive.

g) Në rakordim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe me drejtoritë rajonale tatimore, verifikon shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe deklarimet mujore të organizatorëve, të parashikuara në pikën 2, të nenit 57, të këtij ligji.

gj) Kontrollon e verifikon deklarimet e bëra nga organizatorët pranë AMLF-së, në përputhje me detyrimet për deklarim, të parashikuara nga ky ligj.

h) Kontrollon dhe verifikon fitimet e organizatorëve nga lojërat.

: